Axhenda: kalendar takimesh për klinika private
Axhenda është kalendari i takimeve brenda Medical Solutions. Aty rezervohen takimet e të gjithë mjekëve të klinikës, nga kompjuteri i recepsionit ose nga telefoni, dhe prej saj nisen kujtesat për pacientët.
Shumë klinika i mbajnë ende terminet në fletore, në Excel ose në bisedat e WhatsApp-it. Ajo që shton Axhenda është lidhja me kartelën: çdo takim i kryer shënohet si vizitë te pacienti, dhe nga vizita e fundit llogaritet kontrolli i radhës. Në menynë e programit e gjeni me emrin Kalendari.

Dita, java dhe muaji
Axhenda hapet në pamjen e javës, dhe me një prekje kaloni te dita ose te muaji. Me filtrin e mjekut shihni orarin e një mjeku të vetëm, ose të të gjithëve bashkë.
Çdo mjek ka ngjyrën e vet, dhe një takim i veçantë mund të marrë një ngjyrë tjetër. Klinika mund të shtojë edhe ngjyrat e veta. Kur dy takime bien në të njëjtën orë, ato vendosen krah për krah, që asnjëri të mos fshihet pas tjetrit.
Orari i ditës mbulon të 24 orët dhe hapet te ora 8 e mëngjesit, kështu që edhe një takim në 7:30 ose në 21:00 duket dhe klikohet. Në telefon, java shfaqet si listë ditësh me emrat dhe oraret e plota, sepse shtatë kolona nuk lexohen në një ekran të ngushtë.
Si rezervohet dhe zhvendoset një takim
Klikoni një orë të lirë dhe hapet një takim i ri. Shkruani emrin e pacientit: nëse ka kartelë, e zgjidhni nga lista. Nëse është pacient i ri, e rezervoni vetëm me emër dhe shtoni telefonin, WhatsApp-in ose emailin që keni.
Kur më vonë i hapni kartelën pacientit të ri, takimet e rezervuara me emrin e tij lidhen vetë me të, nëse numri i telefonit përputhet ose nëse askush tjetër në klinikë nuk ka të njëjtin emër. Përndryshe takimi pret të lidhet me dorë, që të mos i kalojë pacientit të gabuar.
Titulli i takimit merret nga lista e shërbimeve të klinikës, ose shkruani një trajtim që nuk është në listë. Për ta zhvendosur, tërhiqeni takimin në orën ose në ditën e re. Në telefon, takimi kalon një ditë para ose pas me shigjeta dhe e mban orën e vet.
Nga takimi te vizita
Çdo takim ka një status: e planifikuar, e konfirmuar, mbërriti, e përfunduar, e anuluar ose nuk erdhi. Pasi kalon ora e tij, një takim që nuk u anulua dhe ku pacienti nuk mungoi numërohet si vizitë.
Kartela e pacientit tregon takimet e ardhshme dhe ato të kryera, dhe data e vizitës së fundit përditësohet vetë nga Axhenda. Kjo datë është ajo nga e cila llogaritet kontrolli i radhës.
Nëse në takim shënoni trajtimet e kryera nga lista e shërbimeve, preventivi i asaj vizite del i përgatitur te faqja e preventivave. E rishikoni, e plotësoni nëse mungon diçka dhe e printoni.
Kujtesa për takimin e nesërm
Te faqja Kujtesat, skeda Takimet tregon kush ka takim nesër. Një klinikë që rezervon më përpara mund ta zgjerojë këtë listë në dy ose tre ditë.
Për secilin pacient ka butona për telefonatë, WhatsApp dhe email. Zgjidhni gjuhën e mesazhit (shqip, anglisht, italisht, frëngjisht ose spanjisht) dhe mesazhi del i shkruar, me emrin e pacientit, ditën, orën dhe emrin e klinikës. Emaili hapet gati në programin tuaj të postës. Për WhatsApp, mesazhi kopjohet dhe hapet biseda me pacientin, që ta ngjitni aty.
Asgjë nuk niset vetë: mesazhin e lexon dhe e dërgon dikush nga klinika. Fjalët e mesazhit mund t'i ndryshoni një herë te cilësimet, në gjuhën me të cilën klinika u shkruan pacientëve.
Kujtesa e kontrollit 6-mujor
Klinika vendos sa muaj kalojnë nga vizita e fundit deri te kontrolli i radhës, nga 1 deri në 24. Fillimisht janë 6. Për një pacient të caktuar, mjeku mund të zgjedhë në takim kontroll pas 3, 6 ose 12 muajsh.
Skeda Kontrolle te faqja Kujtesat liston pacientët që e kanë kontrollin për t'u bërë, me filtra për telefonatë, WhatsApp dhe email. Pasi e kontaktoni pacientin, e shënoni si të kujtuar. Nëse klinika ka vendosur lidhjen e saj të vlerësimeve në Google, aty shfaqen edhe ata që erdhën javën e kaluar, që t'u kërkoni një vlerësim.
Klinika mund të ndezë edhe emailin automatik të kontrollit, që fillimisht është i fikur. Ai niset një herë në ditë, vetëm te pacientët që kanë pranuar të kontaktohen me email dhe adresa e të cilëve është konfirmuar me ta, dhe për një fëmijë vetëm kur pëlqimin e ka dhënë prindi ose kujdestari. Çdo pacient e merr një herë për çdo interval. Emaili nuk përmend diagnozë apo trajtim dhe ka gjithmonë një lidhje për çregjistrim.
Kur e përdorin disa veta njëherësh
Recepsioni dhe mjekët shohin të njëjtën Axhendë. Nëse dy veta ndryshojnë të njëjtin takim në të njëjtën kohë, ndryshimi i dytë nuk ruhet dhe Axhenda tregon versionin e fundit, që asnjë ndryshim të mos humbasë pa u vënë re.
Oraret mbahen sipas orës së klinikës. Kush e hap Axhendën nga shtëpia sheh të njëjtat orë si recepsioni, dhe mesazhi për pacientin shkruan orën e saktë të takimit.
Pyetje të shpeshta
A mund të rezervojnë pacientët vetë online?
Jo. Takimet i rezervon klinika, nga Axhenda. Pacientët nuk kanë llogari në program dhe nuk ka faqe rezervimi për ta.
A dërgohen SMS ose mesazhe WhatsApp automatikisht para takimit?
Jo. Mesazhi për takimin del i shkruar, por e dërgon një person nga klinika me një prekje. I vetmi mesazh që niset vetë është emaili i kontrollit, dhe vetëm kur klinika e ka ndezur dhe pacienti ka pranuar.
Si e rezervoj një pacient që ende nuk ka kartelë?
Shkruani emrin e tij te takimi dhe zgjidhni ta rezervoni si pacient të ri. Shtoni telefonin ose emailin nëse i keni. Kur t'i hapni kartelën, takimi lidhet me të.
Çfarë ndodh me kujtesën kur pacienti nuk vjen në takim?
Shënojeni takimin si "Nuk erdhi". Ai nuk numërohet si vizitë, kështu që kontrolli nuk shtyhet dhe pacienti mbetet në listën e atyre që duhen kujtuar.
A mund t'i caktoj një pacienti kontroll pas 3 muajsh, kur klinika i ka 6?
Po. Në takimin e pacientit, kur ai është i lidhur me kartelën, zgjidhni kontroll pas 3, 6 ose 12 muajsh. Ai pacient del në listën e kontrolleve në atë datë, ndërsa të tjerët ndjekin intervalin e klinikës.
A mund të bllokoj në Axhendë një orë ose një ditë pa pacient?
Po. Një takim mund të ruhet pa pacient, për shembull për një mbledhje, dhe mund të zërë gjithë ditën. Kështu të gjithë e shohin atë kohë si të zënë.
Provojeni në klinikën tuaj
14 ditë falas, pa kartë krediti. Nëse doni të vazhdoni, zgjidhni 1, 3, 6 ose 12 muaj dhe paguani një herë: abonimi nuk zgjatet vetë.