Siguria e të dhënave të pacientëve në Medical Solutions
Para se t'i futni kartelat e pacientëve në një program, duhet të dini kush është përgjegjës për to, kush mund t'i shohë, ku ruhen dhe çfarë ndodh me to nëse largoheni. Kjo faqe i përmbledh këto për pronarët e klinikave dhe ordinancave private.
Është informacion, jo këshillë ligjore. Tekstet që vlejnë janë Politika e Privatësisë dhe Kushtet e Përdorimit, që gjenden në fund të çdo faqeje të këtij sajti. Kur kjo faqe ndryshon prej tyre, vlejnë ato.
Klinika është kontrolluesi, ne jemi përpunuesi
Për të dhënat e pacientëve, klinika është kontrolluesi dhe Medical Solutions është përpunuesi. Klinika vendos çfarë mban dhe përse, ka bazën ligjore dhe merr pëlqimet që i duhen. Ne i ruajmë dhe i përpunojmë të dhënat vetëm sipas udhëzimeve të saj, sipas marrëveshjes për përpunimin e të dhënave në seksionin 4 të Kushteve të Përdorimit.
Të dhënat e klinikës nuk i përdorim për asnjë qëllim tonin, as për kërkim apo statistika. Kur na duhen kartela shembull për të testuar programin, përdorim të dhëna të sajuara. Politika jonë e Privatësisë ndjek ligjin shqiptar nr. 124/2024 për mbrojtjen e të dhënave personale, si edhe GDPR-në në rastet kur zbatohet ajo.
Çdo klinikë e ndarë nga të tjerat
Çdo kartelë i përket një klinike të vetme. Programi e kufizon çdo kërkesë te klinika që ka hyrë, ndaj një klinikë nuk mund të gjejë apo të hapë kartelat e një tjetre.
Skedarët e bashkëngjitur, si radiografitë, fotot klinike dhe firmat, ruhen në një hapësirë private, jo pas një lidhjeje publike. Hapen vetëm për dikë që ka hyrë në llogarinë e klinikës që i zotëron.
Hyrja në llogari
Çdo klinikë punon me një llogari të përbashkët, jo me një llogari për çdo person, ndaj fjalëkalimi i saj hap çdo kartelë. Ndryshojeni kur dikush largohet nga stafi, dhe në kompjuterin e recepsionit fikni ruajtjen e formularëve në shfletues dhe dilni nga llogaria në fund të ditës, siç këshillojnë Kushtet e Përdorimit. Rreth fjalëkalimit, programi ka këto mbrojtje:
- Fjalëkalimi ruhet si hash, kurrë si tekst i lexueshëm.
- Hyrja me dy hapa ndizet te Cilësimet: me një kod nga aplikacioni i autentifikimit në telefon, ose me një kod me email kur hyni nga një pajisje e re.
- Pas shumë përpjekjesh të gabuara, hyrja bllokohet për një kohë, dhe kur bllokohet vetë llogaria, klinika njoftohet me email.
- Një hyrje nga një pajisje ose një shtet i ri njoftohet me email.
- Formularët e hyrjes dhe të regjistrimit mbrohen nga kontrolli i sigurisë i Cloudflare.
Regjistri i aktivitetit dhe pyetja "A ishit ju?"
Te Cilësimet, klinika lexon regjistrin e saj të aktivitetit: çdo herë që një kartelë, një skedar, një firmë ose një recetë hapet, krijohet, ndryshohet, eksportohet ose fshihet, si edhe hyrjet dhe ndryshimet e fjalëkalimit. Aty duket edhe çdo herë që një nga skriptet tona të mirëmbajtjes lexon kartelat e klinikës. Meqë llogaria është e përbashkët, regjistri tregon llogarinë, jo personin që e kreu veprimin.
Disa herë në orë, një kontroll automatik e lexon këtë regjistër dhe e pyet klinikën kur sheh diçka të pazakontë, për shembull shumë kartela të hapura brenda një kohe të shkurtër, ose shkarkimin e gjithë listës së pacientëve. Klinika përgjigjet nëse ishte ajo apo jo. Nëse nuk ishte, i japim datat, llogaritë dhe sa kartela u prekën, që i duhen për të njoftuar shkeljen.
Emailet për pacientët
Dërgimi i emaileve te pacientët është i fikur derisa klinika ta ndezë. Edhe atëherë, mesazhi shkon vetëm te pacientët që sipas kartelës kanë pranuar të kontaktohen, dhe çdo mesazh ka një lidhje për t'u çregjistruar.
Kujtesat thonë vetëm se duhet një vizitë, kurrë diagnozën, trajtimin apo rezultatin e një analize. Njoftimet i shkruan vetë klinika: disa fjalë klinike refuzohen automatikisht, por kontrolli nuk i kap dot të gjitha, ndaj ekrani kërkon që mesazhi të flasë vetëm për çështje praktike. Të dhënat personale nuk i shesim dhe nuk i ndajmë me reklamues.
Ku ruhen të dhënat dhe kush i merr
Programi dhe baza e të dhënave funksionojnë në Shtetet e Bashkuara: Vercel e ekzekuton programin dhe ruan skedarët e ngarkuar, dhe MongoDB Atlas mban bazën e të dhënave. Çdo natë bëhet një kopje e enkriptuar e bazës së të dhënave, që ruhet në Bashkimin Evropian te Cloudflare R2, me një çelës që e mbajmë vetëm ne. Të dhënat enkriptohen gjatë transmetimit dhe në ruajtje.
Transferimet jashtë Shqipërisë bëhen vetëm me masat mbrojtëse që pranon ligji nr. 124/2024. Lista e plotë e ofruesve që marrin të dhëna, dhe çfarë merr secili, është në seksionin 4 të Politikës së Privatësisë. Klinikat njoftohen të paktën 30 ditë përpara se të shtohet ose të zëvendësohet një ofrues që përpunon të dhëna pacientësh.
Nëse marrim dijeni për një shkelje që prek të dhënat e një klinike, e njoftojmë klinikën menjëherë, dhe në çdo rast brenda 24 orëve, me detajet që i duhen për të njoftuar Komisionerin.
Eksporti dhe mbyllja e llogarisë
Klinika mund t'i shkarkojë vetë të gjitha të dhënat e saj, me një buton, në çdo kohë, edhe pasi të ketë mbaruar periudha e paguar. Shkarkimi është një skedar ZIP me pacientët si tabelë dhe si JSON, çdo kartelë, recetë dhe ofertë si PDF, takimet dhe skedarët e bashkëngjitur.
Kur klinika kërkon mbylljen e llogarisë, paneli bllokohet dhe të dhënat mbeten gati për eksport për 30 ditë, në rast se kërkesa ishte gabim. Pas kësaj fshihet llogaria me gjithçka në të, përfshirë regjistrin e aktivitetit. Kopjet rezervë fshihen sipas afatit të tyre, dhe dokumentet e faturimit, që nuk përmbajnë të dhëna pacientësh, ruhen aq sa kërkon ligji tatimor.
Pyetje të shpeshta
Ku ruhen fizikisht kartelat e pacientëve?
Baza e të dhënave dhe skedarët ruhen në Shtetet e Bashkuara, te MongoDB Atlas dhe Vercel. Kopjet rezervë ruhen në Bashkimin Evropian, dhe kopja e bazës së të dhënave është e enkriptuar. Seksioni 5 i Politikës së Privatësisë shpjegon transferimet, dhe me kërkesë ju tregojmë masën mbrojtëse për secilin ofrues.
A mund t'i shohë stafi i Medical Solutions kartelat e klinikës sime?
Vetëm kur duhet për ta mbajtur ose për ta mbështetur programin, dhe vetëm personat që janë zotuar me shkrim për konfidencialitet. Mbajmë shënim kush ka akses dhe kur iu hoq. Kur një nga skriptet tona të mirëmbajtjes lexon kartelat tuaja, kjo duket në regjistrin e aktivitetit. Ofruesit që mund të shohin të dhëna, përfshirë asistentin e inteligjencës artificiale që përdor ekipi ynë, janë në seksionin 4 të Politikës së Privatësisë.
Çfarë ndodh nëse dikush mëson fjalëkalimin e klinikës?
Me hyrjen me dy hapa të ndezur, fjalëkalimi vetëm nuk mjafton për të hyrë nga një pajisje e panjohur. Një hyrje nga një pajisje e re njoftohet me email, dhe kontrolli automatik e pyet klinikën kur llogaria përdoret në mënyrë të pazakontë. Ndryshoni fjalëkalimin menjëherë dhe na njoftoni nëse dyshoni se dikush ka hyrë.
A mjafton programi që klinika të jetë në rregull me GDPR-në?
Jo vetëm ai. Politika e Privatësisë dhe marrëveshja jonë për përpunimin ndjekin ligjin nr. 124/2024 dhe, aty ku zbatohet, GDPR-në, por si kontrolluese klinika përgjigjet vetë për bazën ligjore, për pëlqimet dhe për kërkesat e pacientëve, dhe ne e ndihmojmë. Kjo faqe nuk është këshillë ligjore: për detyrimet tuaja pyesni një jurist ose zyrën e Komisionerit.
Çfarë ndodh me të dhënat kur e mbyllim llogarinë?
Paneli bllokohet dhe keni 30 ditë për të shkarkuar gjithçka. Pastaj fshijmë llogarinë dhe çdo gjë në të. Kopjet rezervë fshihen më vonë, sipas afateve në Politikën e Privatësisë, dhe ruhen vetëm dokumentet e faturimit që kërkon ligji.
Provojeni në klinikën tuaj
14 ditë falas, pa kartë krediti. Nëse doni të vazhdoni, zgjidhni 1, 3, 6 ose 12 muaj dhe paguani një herë: abonimi nuk zgjatet vetë.