Nga letra dhe Excel te kartelat dixhitale
Pak klinika nisin nga zero. Zakonisht ka një tabelë Excel me emrat dhe telefonat e pacientëve, një dollap me dosje letre, ose të dyja. Kjo faqe shpjegon si e futni listën në Medical Solutions pa e rishkruar emër për emër, çfarë bëni me letrat, dhe si i merrni të dhënat mbrapsht në çdo kohë.
Një gjë duhet thënë që në fillim: importi sjell të dhënat bazë të pacientit, jo historinë klinike. Shënimet e vjetra skanohen dhe i bashkëngjiten kartelës, ose plotësohen në vizitën e radhës.
Si importohet lista e pacientëve nga Excel
Importi lexon skedarë CSV, formatin që Excel e ruan me Skedar, Ruaj si. Vlerat mund të jenë të ndara me presje ose me pikëpresje: programi i njeh të dyja.
Importin e gjeni te Cilësimet, në skedën Të dhënat e pacientëve. Pasi zgjidhni skedarin, programi lexon titujt e kolonave, ju tregon cila kolonë do të shkojë te cila fushë dhe shfaq rreshtat e parë ashtu siç do të ruhen. Asgjë nuk shtohet para se të shtypni butonin e importit.
Pacientët e rinj vendosen te një nga modelet e kartelave të klinikës, që e zgjidhni në të njëjtin ekran. Nëse në regjistrim zgjodhët specialitetin, modeli përkatës është gati që ditën e parë.
Në po atë ekran ka edhe një skedar model, me titujt që programi pret dhe një rresht shembull që e fshini para importit.
Cilat kolona njeh programi
Titujt e kolonave mund të jenë në shqip, anglisht ose italisht. Shkronjat e mëdha, ë-ja dhe shenjat e pikësimit nuk ndikojnë, ndaj Datëlindja dhe datelindja lexohen njësoj. Emri dhe mbiemri janë të detyrueshëm, kolonat e tjera jo.
Kolonat që programi nuk i njeh anashkalohen, nuk futen në fushën e gabuar. Nëse një titull lidhet gabim, e ndryshoni me dorë para importit.
- Emri: Emri, First name, Name, Given name, Nome
- Mbiemri: Mbiemri, Last name, Surname, Family name, Cognome
- Datëlindja: Datëlindja, Data e lindjes, Date of birth, DOB, Birthdate
- Gjinia: Gjinia, Gender, Sex
- Telefoni: Telefoni, Telefon, Tel, Numri, Phone, Mobile
- Email: Email, E-mail, Posta, Mail
Datat, gjinia dhe rreshtat që lihen jashtë
Datëlindja mund të jetë shkruar 31.12.1980, 31/12/1980 ose 1980-12-31. Dita lexohet e para, siç shkruhet zakonisht te ne, përveç kur vetë datat e skedarit tregojnë se muaji vjen i pari. Një skedar që i përzien të dyja mënyrat refuzohet i tëri, para se të ruhet asgjë.
Një pacient pa datëlindje importohet pa të. Një rresht pa emër ose pa mbiemër, ose me një datëlindje që nuk lexohet, lihet jashtë dhe ju tregohet me numrin e rreshtit, që ta korrigjoni në Excel dhe ta importoni sërish. Programi nuk e hamendëson një datë, sepse një datëlindje e gabuar në kartelë është më e keqe se një fushë bosh.
Gjinia lexohet nga M, F, Mashkull, Femër, Burrë, Grua, Male ose Female, dhe NB, Non-binary ose Jobinar për jobinar; një vlerë që nuk njihet ruhet si e padeklaruar. Një telefon tepër i gjatë ose një email që nuk njihet lihet jashtë, por pacienti importohet dhe ju del një shënim për atë rresht.
Një skedar mban deri në 5000 rreshta; një listë më e gjatë ndahet në disa skedarë. Nëse e importoni të njëjtin skedar dy herë, për shembull pasi u ndërpre lidhja, pacientët që janë tashmë në program me të njëjtin emër dhe datëlindje, ose me të njëjtin emër dhe telefon, nuk shtohen sërish. Çdo import mbetet në listën Importet e mëparshme.
Pëlqimi për mesazhe nuk vjen me importin
Pacientët që vijnë nga një tabelë e vjetër shënohen si pa pëlqim për t'u kontaktuar. Një kolonë në Excel nuk provon se pacienti ka pranuar, ndaj programi nuk u dërgon këtyre pacientëve asnjë email, as kujtesë kontrolli, as njoftim, derisa pëlqimi të shënohet në kartelë.
Rruga më e thjeshtë është ta pyesni pacientin kur vjen për vizitë dhe ta shënoni pëlqimin në kartelën e tij po atë ditë.
Çfarë bëni me dosjet në letër
Dosjet nuk duhen skanuar të gjitha para se të nisni. Një rrugë praktike është ta skanoni dosjen e një pacienti kur ai kthehet për vizitë, dhe ta bashkëngjitni te kartela e tij.
Te çdo kartelë mund të bashkëngjitni PDF, fotografi, përfshirë fotot HEIC të iPhone-it, ose skedarë DICOM, deri në 4 MB secili. Një letër referimi ose një analizë e fotografuar me telefon mjafton. Një PDF me fjalëkalim nuk pranohet: printojeni në një PDF të ri dhe ngarkoni atë.
Skanimet e mëdha, si një studim CBCT ose një panoramike, nuk ngarkohen si skedar. Ato mbeten aty ku janë, për shembull në Google Drive, dhe kartela mban vetëm një lidhje me emër për secilin.
Një nënshkrim i vjetër në letër mund të fotografohet dhe të futet në kartelë. Ruhet vetëm boja, pa letrën pas saj, dhe nënshkrimi etiketohet si i ardhur nga një dokument në letër.
Të dhënat mbeten tuajat: eksporti në ZIP
Kalimi në një program duhet të jetë i kthyeshëm. Te Cilësimet, në të njëjtën skedë, butoni Shkarko të gjitha të dhënat e klinikës përgatit një skedar ZIP me gjithçka që klinika mban në Medical Solutions. Nëse ju duhet vetëm lista, pacientët shkarkohen edhe si tabelë që hapet në Excel.
Eksporti punon edhe kur klinika nuk ka abonim aktiv: atëherë të dy shkarkimet dalin në faqen e pagesës. Çdo shkarkim i plotë shënohet në regjistrin e aktivitetit, dhe klinikës i kërkohet me email të konfirmojë që e bëri vetë.
- Të dhënat e çdo pacienti, si tabelë dhe si JSON
- Çdo kartelë, recetë dhe ofertë, si PDF
- Takimet e axhendës, si tabelë
- Çdo skedar i bashkëngjitur, dhe fotografitë, vizatimet e nënshkrimet në rezolucion të plotë
- Lidhjet e skanimeve që mbahen jashtë programit
Një plan për javën e parë
Një rend i thjeshtë, që e lë klinikën të punojë normalisht gjatë kalimit:
- Dita 1: regjistroni klinikën, zgjidhni specialitetin dhe plotësoni profilin e klinikës, me logon dhe kontaktet që dalin në receta dhe oferta.
- Dita 2: shtoni mjekët, shërbimet dhe listën e çmimeve.
- Dita 3: ruani listën e pacientëve nga Excel si CSV dhe importojeni.
- Dita 4 dhe 5: vendosni takimet e reja në axhendë. Pacientët e rinj mund të rezervohen vetëm me emër, para se t'u hapet kartela.
- Gjatë gjithë javës: çdo pacient që vjen merr kartelën e plotë, dhe dosja e tij në letër skanohet e bashkëngjitet.
Pyetje të shpeshta
A mund ta importoj drejtpërdrejt skedarin .xlsx të Excel-it?
Jo. Programi lexon vetëm CSV. Hapeni tabelën në Excel, zgjidhni Skedar, Ruaj si dhe formatin CSV, pastaj importoni skedarin e ri. Tabela origjinale mbetet siç ishte, ndaj e mbani si kopje.
Çfarë ndodh me kolonat e diagnozave dhe të shënimeve në tabelën time?
Anashkalohen. Importi sjell vetëm emrin, mbiemrin, datëlindjen, gjininë, telefonin dhe emailin. Shënimet klinike i shtoni në kartelë me dorë, ose i printoni a i skanoni si PDF dhe ia bashkëngjitni pacientit.
Emri dhe mbiemri janë në një kolonë të vetme. A punon importi?
Jo ashtu siç janë, sepse emri dhe mbiemri janë dy fusha të detyrueshme. Ndajini në dy kolona në Excel para se ta ruani si CSV. Një kolonë me titullin Name lexohet vetëm si emër, dhe rreshtat pa mbiemër lihen jashtë.
Duhet t'i skanoj të gjitha dosjet e vjetra para se të nis?
Jo. Programi përdoret që ditën e parë me listën e importuar. Dosjen në letër të një pacienti mund ta skanoni kur ai kthehet, dhe ta bashkëngjitni te kartela si PDF ose fotografi.
A mund ta kthej listën e pacientëve në Excel nëse largohem?
Po. Lista e pacientëve shkarkohet si tabelë CSV që hapet në Excel, dhe eksporti i plotë në ZIP sjell edhe çdo kartelë, recetë dhe ofertë si PDF. Të dyja janë te Cilësimet, dhe kur nuk ka abonim aktiv, në faqen e pagesës.
Provojeni në klinikën tuaj
14 ditë falas, pa kartë krediti. Nëse doni të vazhdoni, zgjidhni 1, 3, 6 ose 12 muaj dhe paguani një herë: abonimi nuk zgjatet vetë.